Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare publicisti dhe diplomati i njohur shqiptar Ymer Minxhozi.

Z. Minxhozi ka kryer studimet për gazetari në ish-Bashkimin Sovjetik dhe më pas ka qenë korrespondent i gazetave shqiptare në Kinë e në vendet e Azisë Juglindore. Në vijim ai ishte drejtues i revistës “Shqipëria e Re”.

Ymer Minxhozi ka qenë gjithashtu një përfaqësues dinjitoz i diplomacisë shqiptare në takime e veprimtari të ndryshme ndërkombëtare.

Z. Ymer Minxhozi ka pasur një lidhje të veçantë me Kinën, ku ka punuar në vitet 1964-1965. Në një intervistë për redaksinë e shqipes të Radios së Jashtme të Kinës, tashmë pjesë e CMG-së, ai është shprehur se ka kujtime shumë të mira nga Kina, duke e quajtur veten edhe një dëshmitar të bashkëpunimit kino-shqiptar. Ai përmendi në veçanti mbresat nga takimet me dy udhëheqësit më të lartë të Kinës, kryetarin Mao Ce Dun dhe kryeministrin Çu En Lai.

Ymer Minxhozi ka shkruar më shumë se 20 libra, një ndër të cilët është edhe “Tibeti: dje, sot, nesër”. Ai ka qenë i pari shqiptar që ka vizituar këtë rajon të Kinës, duke parë edhe ndryshimet e ndodhura aty, e madje edhe duke parashikuar edhe zhvillimin e Tibetit në të ardhmen, si për shembull ndërtimin e hekurudhës aty. “Në atë kohë në Tibet mund të shkohej vetëm me avion. Disa shokë më thanë që është e pamundur të vijë treni deri në ‘çatinë e botës’, sepse treni nuk fluturon. Dhe me të vërtetë treni ka ardhur tashmë në Tibet dhe më gëzoi kur e pashë,” u shpreh ai gjatë intervistës.

Redaksia e shqipes e Radios së Jashtme të Kinës shpreh pikëllimin e vet për ndarjen nga jeta të këtij miku të madh të Kinës dhe i përcjell ngushëllimet më të thella familjes së z. Ymer Minxhozi për humbjen e njeriut të vet të dashur.