Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri të ditur se situata epidemiologjike në Shqipëri është e qëndrueshme, është ulur incidenca javore, po ashtu dhe shtrimet spitalore. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi se niveli i infektimit është nën 1, përkatësisht 0.8.

Rakacolli tha se situata epidemiologjike është e qëndrueshme dhe se ndihmesë në këtë drejtim ka dhënë dhe fushata e vaksinimit që vijon, aktualisht, me punonjësit e transportit rrugor.

Komiteti Teknik i Ekspertëve propozoi që duke nisur nga 1 qershori të lehtësohen masat kundër Covid-19, me heqjen e maskës në ambientet e jashtme, por jo në ato të mbyllura dhe në transportin publik.

Gjithashtu, prej 1 qershorit, ora policore nga 22:00 që është aktualisht do të spostohet në 23:00-06:00 dhe në varësi të situatës më tej, nga korriku do të shtyhet më 24:00. Ndërsa diskot dhe klubet e natës do të vijojnë të jenë të mbyllura. Muzika nëpër lokale do të lejohet deri në orën 22:00. Sipas ekspertëve, këshillohet dhe lejimi i grupimeve deri në 50 persona.

Ekspertët mendojnë që këto masa shkojnë në përputhje me situatën epidemiologjike dhe se ato duhen respektuar me rigorozitet. Rakacolli tha se do të vijojnë kontrollet për zbatimin e politikave të izolimit për personat e infektuar me koronavirus. (Irma)