
Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin prill 2021 shënuan një rritje të ndjeshme me 18.5 herë krahasuar me prillin e vitit 2020.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, 466.283 qytetarë të huaj dhe shqiptarë kanë hyrë në territorin e Shqipërisë në muajin prill 2021.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 241.015 ose 19.8 herë më i lartë se në të njëjtin muaj të vitit paraardhës.
“Ndryshimet në përqindje të treguesve të lëvizjes së shtetasve janë ndikuar nga masat e pandemisë të vendosura në muajin prill 2020”, -bën të ditur INSTAT.
Sipas INSTAT-it, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë 4-mujorit të parë të 2021 është 754.796, duke u rritur me 1.3 herë nga e njëjta periudhë e vitit 2020.
Gjatë tremujorit të parë 2021, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 2.1 herë dhe Zvicra me 2 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 4.4 herë dhe Anglia me 60.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Ndërkohë daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit prill 2021, janë 449.930 duke shënuar një rritje me 18.8 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Elona)







