[Foto nga VCG]

[Foto nga VCG]

Shqipëria ka hyrë të hënën në një periudhë lehtësimesh të masave anti-Covid, pas një vendimi të marrë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve ditën e dielë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu bëri të ditur se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur zgjatjen e orës së qarkullimit të qytetarëve deri në orën 22:00, nga 20:00 që ka qenë javët e fundit, duke filluar nga data 12 prill.

Sipas vendimit, edhe aktivitetet e bareve dhe restoranteve do të jenë të hapura deri në orën 22:00. Ora policore do të jetë në fuqi deri më 06:00.

Vendim i rëndësishëm i Komitetit Teknik të Ekspertëve ishte dhe rihapja e fluturimeve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Me këtë vend Shqipëria ka një shkëmbim intensiv të transportit të udhëtarëve, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve shqiptarë atje.

Ministrja Manastirliu tha se situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, me tendencë në rënie të incidencës dhe kjo është vënë re nga java e tretë e marsit dhe në vijim.

Rënie është vënë re edhe sa i takon përqindjes së pozitivitetit të rasteve të reja, ku gjatë javëve të fundit ka rënë deri në 12%. Rënia shënohet edhe në shtrimet në spitale.

Spitali Covid 4 tashmë nuk ka më pacientë, por është në gatishmëri të plotë.

Pavarësisht vendimit lehtësues, Komiteti Teknik i Ekspertëve vazhdon t'i bëjë thirrje popullatës për të kujdes të vazhdueshëm dhe mënjanuar mundësitë e infektimit me Covid-19. (Fatosi)