Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, përmes një njoftimi, bëri të ditur janë dhënë 230 milionë euro në një vit për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve të saj për t’iu përgjigjur krizës Covid-19.

“Një shembull tjetër i prekshëm i solidaritetit të “TeamEurope” të Bashkimit Evropian ndaj popullit shqiptar”, -thuhet në njoftim.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi se “TeamEurope” u prezantua një vit më parë si një përgjigje e menjëhershme ndaj krizës së paprecedentë të pandemisë dhe kjo nismë bëri bashkë institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare për të mbështetur vendet partnere në luftën kundër Covid-19.

“Në Shqipëri, ne kemi mobilizuar më shumë se 230 milionë euro për të mbështetur autoritetet shëndetësore, shoqërinë dhe bizneset për të lehtësuar periudhën e rimëkëmbjes”, -thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së, citon “ATSH”.