Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj deklaroi se shërbimet konsullore në e-Albania u kanë kursyer 99 vite emigrantëve shqiptarë.

Përmes një postimi zyrtar, Karçanaj deklaroi se tashmë ka ardhur koha kur emigrantët shqiptarë të trajtohen si qytetarë evropianë.

“Falë e-Albania kemi mundësuar rreth 436 mijë aplikime online për pasaportë dhe kartë ID, për shtetasit shqiptarë, rezidentë jashtë kufijve. Një takim i rezervuar online bëhet në më pak se 5 minuta. Iku koha kur emigrantët, megjithë ngarkesat dhe vështirësitë e të jetuarit në vend të huaj, sorollateshin zyrave të konsullatës për të caktuar ditën dhe orën e takimit për të aplikuar për pasaportë apo kartë identiteti të re”, -tha Karçanaj. (Irma)