[Foto nga VCG]

[Foto nga VCG]

Kreu i Urgjencës Kombëtare në Shqipëri, Skënder Brataj bëri të ditur se vaksina kineze “CoronaVac”, është efikase kundër variantit brazilian të koronavirusit.

Përmes një postimi në “Facebook”, duke zbuluar të dhënat e një studimi brazilian, Brataj deklaroi se në analizën e ndërmjetme, efikasiteti i “CoronaVac” ishte 50% në parandalimin e sëmundjes simptomatike të Covid-19, duke theksuar se sipas raportit kjo përqindje është vetëm pas dozës e parë.

“CoronaVac është efektiv kundër variantit brazilian P.1 të Covid-19. Studimi u krye me 67.7 mijë punonjës shëndetësorë në qytetin e Manaus, në Brazil, ku u evidentua fillimisht mutacioni në vitin 2020. Vaksina e kompanisë kineze “Sinovac” është 50% efikase kundër variantit P.1. Efikasiteti në parandalimin e sëmundjes u konfirmua 14 ditë pas aplikimit të dozës së parë. Studimi i botuar nga grupi Vebra Covid-19 tregon se kërkimet ende nuk e kanë vlerësuar efektivitetin pas aplikimit të dozës së dytë, e cila do të dalë javët e ardhshme.

Këto rezultate janë shumë inkurajuese sepse CoronaVac mbetet efektive në zvogëlimin e rrezikut të sëmundjes simptomatike në një skenar me një prevalencë mbi 50% të variantit brazilian P.1. Këto zbulime mbështesin përdorimin e vazhdueshëm të kësaj vaksine në Brazil dhe vende të tjera me të njëjtin variant qarkullues”, -citon Brataj të dhënat e studimit. (Irma)