Instituti i Statistikave në Shqipëri publikoi të dhënat për strukturën e investimeve për vitin 2018, nga të cilat vihet re se për çdo 100 lekë që investohen në ekonominë shqiptare, 75 lekë shkojnë në ndërtim.

Dominimi i ndërtimit në strukturën e investimeve ka qenë një tipar konstant, madje deri në vitin 2009 pesha e tyre ndaj investimeve totale ishte më shumë se 80%.

Megjithë një ulje të lehtë në dekadën e fundit, investimi në ndërtim ruan një dominim absolut, me shpërndarje të herëpashershme të peshës specifike mes llojit të aktivitetit ndërtues, citon “Monitor”.

Për vitin 2018 dega me peshën më të lartë ishte ndërtimi për banim, me 45% të investimeve totale, i ndjekur nga ndërtimet inxhinierike me 20%. Këto ndërtime patën arritur nivel mjaft të lartë në vitin 2017, kur sollën rreth 29% të investimeve totale në ekonomi. (Irma)