Foto nga RTSh-ja

Foto nga RTSh-ja

Qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë me 2.7% të gjitha pensionet në vend. Vendimi për indeksimin e pensioneve përfshin pensionin social, atë të pleqërisë, pensionin e invaliditetit, pensionet e ushtarakëve apo minatorëve dhe naftëtarëve, ato të kategorive të veçanta, etj. Indeksimi i pensioneve është një detyrim ligjor që ka synim kompensimin e pasojave të ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve.

Nga rritja e pensioneve e parashikuar në projektvendim e qeverisë do të përfitojnë rreth 702.944 pensionistë, prej të cilëve 688.944 janë përfitues aktual dhe rreth 14.000 llogaritet të jenë përfitues të ardhshëm që do të marrin pension të indeksuar deri në indeksimin e ardhshëm, shkruan “RTSH”.

Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 2.4 miliardë lekë, përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së së vitit 2021. (Irma)