Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komisioni Evropian paraqeti një paketë prej 530 milionë eurosh në mbështetje financiare shtesë përmes Fondit te Solidaritetit të BE-së (EUSF), sipas faqes së Komisionit Europian. Ai do të kontribuojë në përpjekjet e vendosura nga 17 shtetet anëtare, dhe tri vendet drejt anëtarësimit Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, për të mbrojtur shëndetin publik në luftën kundër koronavirusit, citon “Atsh”.

Ky financim do të mbështesë një pjesë të shpenzimeve të tyre publike për pajisjet mjekësore dhe personale të mbrojtjes, mbështetjen emergjente për popullatën dhe masat e parandalimit, monitorimit dhe kontrollit të përhapjes së sëmundjes.

Eurokomisionerja për Kohezionin dhe Reformat, Elisa Ferreira tha se Fondi i Solidaritetit të BE-së është një demonstrim konkret i solidaritetit evropian në veprim. Që nga krijimi i tij, ai ka ofruar ndihmë dhe lehtësim efektiv për miliona njerëz gjatë kohërave të vështira. “Vitin e kaluar, ne zgjeruam fushën e tij për të mbuluar emergjenca të mëdha shëndetësore. Tani ne po propozojmë të mobilizojmë asistencën financiare lidhur me koronavirusin. EUSF edhe një herë është duke përmbushur misionin e tij kryesor”, -tha Ferreira.

Paketa e ndihmës e propozuar përfshin gjithashtu 132.7 milionë euro të paradhënieve të marra tashmë nga Gjermania, Irlanda, Greqia, Spanja, Kroacia, Hungaria dhe Portugalia.

Mobilizimi i pagesave përfundimtare të EUSF për 17 shtetet anëtare bazohet në një vlerësim të plotë të aplikimeve të paraqitura, duke siguruar qëndrueshmëri në qasjen dhe trajtimin e barabartë. (Irma)