Sektori i ndërtimit është rikthyer vrullshëm në tremujorin e katërt të vitit 2020, krahasuar me një vit më parë, si rrjedhojë e rindërtimit pas tërmetit dhe banesave të reja rezidenciale e hoteliere, kryesisht në Tiranë, Durrës e Vlorë.

Të dhënat e Instat-it, të cilave u referohet “Monitor”, tregojnë se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2020, pati një rritje me 2.3 herë më shumë se një vit më parë.

Sipas Instat-it, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 28.9 miliardë lekë, nga 11.7 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2019, duke shënuar një rritje me rreth 2.5 herë.

Në tremujorin e katërt 2020 janë miratuar gjithsej 306 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 202 leje më 2019-n, duke shënuar një rritje prej 51.5%. Gjatë vitit 2020, janë miratuar gjithsej 961 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 1094 leje të miratuara në vitin 2019, duke shënuar një rënie prej 12.2%. (Irma)