Ministrja e Drejtësisë zhvilloi një takim online me homologen gjermane Christine Lambrecht, të cilës i shprehu mirënjohjen për mbështetjen ndaj Shqipërisë për çeljen e negociatave. Etilda Gjonaj falënderoi Gjermaninë për asistencën teknike të ofruar në reformimin e shtetit të së drejtës dhe sistemit gjyqësor nëpërmjet Fondacionit Gjerman për Ndihmë Ligjore Ndërkombëtare (IRZ).

“Ministrja Lambrecht shfaqi interes të lartë për procesin e reformës në drejtësi dhe shprehu bindjen që Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur, si dhe vlerësoi faktin që vendi ka marrë këtë rrugë të vështirë, por po aq të rëndësishme për t’i kthyer besimin gjyqësorit”, -tha Gjonaj.

“Ministrja Lambrecht vlerësoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe më siguroi për mbështetjen e saj dhe të Ministrisë Federale të Drejtësisë lidhur me projektet që garantojnë forcimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Falënderim për fjalët përzemërta dhe shpreh bindjen se Reforma në Drejtësi është një hap i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për hapjen e rrugës në BE”, -bëri të ditur Gjonaj. (Irma)