Kthimi i shtëpive në fshat në bujtina dhe mbështetja e emigrantëve janë ndër prioritetet kyçe të qeverisë, si pjesë e Planit të Veprimit 2021-2025. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama, duke folur për projektet e reja për mbështetjen e agroturizmit, citon “ATSH”.

“Është një projekt për të cilën kemi nënshkruar marrëveshjen në vizitën time të fundit në Turqi për Beratin dhe Gjirokastrën, për një ndërhyrje më të konsolidueshme se sa ato që ne kemi bërë në vite për restaurimin dhe vënien në kushte optimale të godinave që janë monumente kulture. Ka një program të veçantë për nxitjen e jetësimit të këtyre banesave, kthimi i këtyre banesave në një instrument ekonomik jo për shtetin, por për pronarët”, -tha Rama.

Shefi i qeverisë tha se po punohet për një masë të re për emigrantët që do të jenë të gatshëm të investojnë në shtëpitë e tyre në fshat, për agroturizëm apo në investime që do të jenë mbi një shumë të caktuar. (Irma)