Zhvillimet demografike në Shqipëri janë përkeqësuar më tej gjatë vitit 2020, duke lajmëruar një përkeqësim të numrit të popullsisë në shumicën e qarqeve të vendit. Tendenca negative është përkeqësuar nga pandemia Covid-19, ku nga 12 qarqe gjithsej vetëm në katër prej tyre shtesa natyrore e popullsisë ishte më rritje (lindjet më të larta se vdekjet) ndërsa në 8 të tjera vdekjet ishin më të larta se lindjet.

Sipas të dhënave të Instat-it, cituar nga “Monitor”, Tirana ishte qarku me shtesën më të lartë natyrore të popullsisë në vitin 2020, ku numri i lindjeve ishte 2258 persona më i lartë se i vdekjeve. Ndërsa në krahun tjetër Korça ishte qarku që shënoi rënien më të madhe të shtesës natyrore të popullsisë, ku numri i vdekjeve gjatë vitit 2020 ishte 883 më i lartë se i lindjeve.

Tirana, Dibra, Durrësi dhe Kukësi ishin të vetmet në vend me rritje natyrorë të popullsisë, ndërsa Elbasani, Lezha, Berati, Gjirokastra, Shkodra, Vlora, Fieri dhe Korça që të gjitha shënuan rënie natyrore të popullsisë gjatë vitit 2020. Të dhënat e Instat-it tregojnë se vdekjet në shkallë vendi u rriten me rreth 26%, teksa lindjet shënuan rënie me 1.7%.

Gjatë vitit 2019, shtesa natyrore ishte vetëm 6624 persona, kundrejt vetëm 470 personave më 2020. Në vitin 1990, shtesa natyrore ishte 64 mijë persona në vit, ose gati 137 herë më e lartë se në vitin 2019. (Irma)