Banesat e përfituara nga Programi i Rindërtimit nga banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të jenë pronë e tyre. Kështu deklaroi ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, gjatë inspektimit të punimeve në lagjen e re në Ndroq, ku theksoi se banesat e reja nga Programi i Rindërtimit janë pronë e përfituesve, të cilën e trashëgojnë, mund ta shesin apo japin me qira.

Ahmetaj tha se aludimet se banesat nuk do të jenë në pronësi të banorëve përfitues janë thashetheme elektorale.

“Deri tani janë të regjistruara më shumë se 32 mijë familje që përfitojnë nga procesi i rindërtimit. Para një jave ne kaluam vendimin e qeverisë, ku i kemi dhënë të gjithë bashkive edhe kontratën tip për shtëpitë, që do të thotë që bashkitë të futen në procesin e marrëveshjes me të gjitha familjet që janë dëmtuar që përfitojnë shtëpi. Dua t’u them qytetarëve që shtëpinë e gëzojnë, e trashëgojnë, e shesin, i bëjnë çfarë të duan”, -theksoi Ahmetaj. (Elona)