Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha ka këmbëngulur se shëndetësia shqiptare është në kolaps, ndërsa ka premtuar se me fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, situata do të ndryshojë.

Duke biseduar me një grup mjekësh rreth programit të PD-së “Shqipëria fiton shëndetësinë”, Basha tha se synimi është vënia e pacientit në qendër të sistemit. Ai premtoi trajtim dinjitoz për personelin shëndetësor me rritjen e pagave të mjekëve në 1200 euro dhe infermierëve 700 euro. Kreu i PD-së tha se karta e shëndetit dhe reforma në tregun e ilaçeve, janë bazë e domosdoshme për të nisur ndryshimin në shëndetësi. "Më 25 prill, shqiptarët do të vendosin të shpëtojnë shëndetësinë nga pushteti korruptiv dhe monopolistët e ilaçeve. 25 prilli është dita kur Shqipëria fiton”, -shkroi Basha në “Facebook”. (Fatosi)