Qeveria e Hungarisë tha të enjten se ka arritur një marrëveshje me kompaninë kineze "Sinopharm" për blerjen e vaksinës së saj kundër COVID-19. Hungaria bëhet kështu i pari vend i BE-së që pranon përdorimin e një vaksine kineze.

Sipas rregullave të BE-së, duhet të jepet një miratim tepër i shpejtë për përdorimin urgjent, në vend që të pritet leja nga rregullatori evropian i barnave për vaksinën kineze.

Britania mori një masë e ngjashme në dhjetor para daljes së saj nga BE-ja. Ajo miratoi vaksinën kundër COVID-19 të kompanisë "Pfizer" më 2 dhjetor, duke nisur e para në botë programin e vaksinimit masiv.

Qeveria nacionaliste e Hungarisë e kritikoi ashpër BE-në për ngadalësinë e madhe në blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, gjë që kërcënon tani edhe rimëkëmbjen ekonomike.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto tha në një postim në "Facebook" të enjten se, si pasojë e blerjes jashtëzakonisht të ngadalshme, nuk mund të bëhet një vaksinim i shpejtë në fillim të këtij viti.

Qeveria miratoi edhe një dekret të enjten, që i mundëson fillimin e blerjes së vaksinave jashtë skemës së përqendruar të BE-së.

Zëdhënësi i ministrit të Jashtëm tha se procesi i miratimit për vaksinën e krijuar nga dega e Pekinit e "Sinopharm"it, Instituti i Produkteve Biologjike i Pekinit (BIBP), është në zhvillim e sipër.

Shefi i stafit të kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban, Gergely Gulyas, bëri të ditur po të enjten se "kontingjenti i parë mund të përfshijë deri në 1 milion doza."

Kina miratoi vaksinën e krijuar nga BIBP-ja në fund të dhjetorit, vaksina e parë kundër COVID-19 për përdorim të përgjithshëm publik.

Sipas kompanisë kineze, rezultatet e ndërmjetme të fazës së tretë të provave klinike tregojnë se vaksina është 79.34 për qind e efektshme në parandalimin e virusit.

"Të gjithë pacientët prodhuan antitrupa të nivelit të lartë dhe shkalla e shndërrimit pozitiv-antitrupa neutralizuese ishte 99.52 për qind," tha kompania kineze në një deklaratë. (Wang Lei)