Shqipëria është përfshirë nga një mot i keq me reshje të shumta shiu dhe dëbore, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) njofton se nivelet në lumenjtë Drin dhe Buna, në veri dhe veriperëndim të vendit janë rritur.

Autoritetet thonë se pavarësisht disa problemeve lokale, për momentin situata është nën kontroll, por priten vështirësi më 10-11 janar kur moti do të përkeqësohet.

Zonat më të prekura nga përmbytjet janë Shkodra, Kukës, Dibra, Lezha dhe Durrësi. Disa mijëra ha tokë janë përmbytur. Në këto zona Emergjencat Civile dhe Ushtria kanë ndërhyrë duke u ardhur në ndihmë banorëve me ujë dhe ushqime.

Administratori i Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Benet Beci, tha për mediat se situata në kasdadën e HEC-eve të lumit Drin është nën kontroll të plotë. Sipas tij prurjet e ujit arrijnë në 3000 metra kub në sekondë, duke shënuar nivelin më të lartë historik. Aktualisht po gjenerohet energji me kapacitet të plotë në HEC-in Koman dhe Vau i Dejës, 17.000 MWh, duke përmbushur plotësisht kërkesën për furnizim nga OSHEE. (Fatosi)