Në një raport të Eurostat-it, Shqipëria renditet e treta në Evropë pas Norvegjisë dhe Islandës për sasinë e lartë të prodhimit të energjisë elektrike për konsum nga burimet e rinovueshme në raport me totalin e konsumit.

Për shkak të burimeve ujore të shumta dhe varësinë së lartë të prodhimit të energjisë elektrike nga HEC-et, Shqipëria siguron 92% të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, kryesisht uji, citon “Monitor”.

Ky tregues e rendit Shqipërinë në një nivel të lartë për cilësinë e energjisë, e cila nuk shkakton ndotje në mjedis dhe është në përputhje me objektivat globale për zhvillimin e qëndrueshëm. Gjithashtu varësia e lartë nga burimet hidrike e ekspozon Shqipërinë ndaj krizave energjetike dhe humbjeve të larta financiare në rast të mungesës së reshjeve.

Në vitin 2019, burimet e ripërtëritshme të energjisë përbënin 34% të konsumit bruto të energjisë elektrike në BE, pak më shumë se 32% në vitin 2018. (Irma)