Ministria e Financave ka përllogaritur se prej skemës së re për karburantin pa akcizë do të përfitojnë këtë vit rreth 70 mijë fermerë në të gjithë Shqipërinë. Shuma e përllogarituar për kompensim është rreth 1 miliard lekë.

Sipas këtyre të dhënave, që u është referuar “Monitor”, përfitimi mesatar për fermer do të jetë rreth 14 mijë lekë në vit. Shuma nuk do të jepet “cash”, por do të konvertohet në naftë falas.

Skema e naftës pa akcizë u rikthye këtë vit nga qeveria si një politikë mbështetëse për sektorin bujqësisë. Qeveria synon, veç të tjerash, që nëpërmjet kësaj skeme të zgjerojë numrin e fermerëve me NIPT.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në vitin 2020 ishin të regjistruar me NIPT rreth 47 mijë fermerë në të gjithë vendin. Përfitimi i karburantit pa akcizë ka si kusht pajisjen me NIPT. Interesi për të përfituar nga skema do të nxisë pajisjen me NIPT të një totali prej 70 mijë fermerësh në të gjithë vendin. (Irma)