Kriza ekonomike ka prekur ndjeshëm industrinë e nxjerrjes së naftës në Shqipëri. Sipas të dhënave të Instat-it, për 11 muajt e vitit 2020, eksportet e naftës dhe nënprodukteve arritën në vlerën e 21.3 miliardë lekëve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, pati rënie me 28.7%.

Në sasi eksporti, rënia është më e ulët. Për 11 muaj, Shqipëria ka eksportuar gjithsej 685 mijë tonë naftë dhe nënprodukte, 8.6% më pak krahasuar me një vit më parë, citon “Monitor”. Kjo tregon se rënia e eksporteve në vlerë ka ardhur kryesisht si pasojë e rënies së çmimit të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, pas krizës ekonomike të lidhur me pandeminë e Covid-19.

Çmimi i eksporteve për njësi (kilogramë) gjatë 11-mujorit 2020 ra në 31.2 lekë, nga 40.2 lekë që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Efektet e rënies së çmimeve janë ndjerë edhe në ecurinë e investimeve në sektorin e industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për 9-mujorin 2020, investimet e huaja direkte në këtë sektor ranë me 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Irma)