Ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding u takua më 17 dhjetor me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Të dy palët patën shkëmbime të thella mendimesh mbi zhvillimin e marrëdhënieve kino-shqiptare dhe thellimin e bashkëpunimit konkret ndërmjet të dy vendeve.

Ambasadori Zhou Ding u shpreh se pas rënies së tërmetit dhe shpërthimit të epidemisë së COVID-19 në Shqipëri, pala kineze i ofroi palës shqiptare ndihmë, duke treguar miqësinë e fortë ndërmjet të dy vendeve. Kina është një partnere e rëndësishme tregtare e Shqipërisë. Kompanitë shqiptare kanë marrë pjesë aktivisht në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës dhe në bashkëpunimin e ndërmarrjeve të mesme e të vogla në kuadër të mekanizmit 17+1, ndërkohë që po shtohet eksportimi i produkteve shqiptare në Kinë, si vera, vaji i ullirit etj. Tani Kina po zbaton pozitivisht konceptin e ri të zhvillimit dhe po shpejton krijimin e strukturës së re të zhvillimit. Kina dëshiron të ndajë rastet e zhvillimit së bashku me Shqipërinë dhe pret që bashkëpunimi dypalësh në fusha të ndryshme të thellohet.

Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh nga ana e tij se Shqipëria i kushton si gjithmonë vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën dhe e konsideron Kinën si mike dhe partnere të sinqertë të Shqipërisë. Pala shqiptare është e gatshme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Kinën, duke nxitur më tej zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.(Xu Guang/Artan)