
Krahas tamponëve, për evidentimin e koronavirusit në popullatë nga 20 dhjetori do të nisë aplikimi i testeve të shpejta në të gjithë vendin.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa mori pjesë në përurimin e ambienteve të reja të Qendrës Shëndetësore në Pajovë të Peqinit, bëri të ditur se qytetarët do të kenë mundësi ta kryejnë testin vetëm nëpërmjet rezervimit te mjeku familjes.
Në Tiranë do të ketë 6 pika të caktuara për testimin e shpejtë në qendra shëndetësore dhe kështu në të gjitha rrethet do të caktohen disa pika, ku me rezervimin te mjeku i familjes do të bëhet i mundur testi i shpejtë në ditët e para të simptomave.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se për vitin 2021 do të vijojë rimbursimi 100% për trajtimin ambulator në banesë të Covid-19, për të cilin në buxhetin e ardhshëm është parashikuar një fond prej 12 milionë dollarësh. (Elona)







