Mali i Zi është i gatshëm të intensifikojë bashkëpunimin e tij me Kinën nën mekanizmin bashkëpunues mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEC), deklaroi ministri malazez i Punëve të Jashtme. Djordje Raduloviç, i cili mori detyrën në qeverinë e sapozgjedhur këtë muaj, i bëri komentet gjatë takimit me ambasadorin kinez në Podgoricë, Liu Jin, sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Jashtme.

Duke vënë në dukje se Mali i Zi ka qenë një pjesëmarrës aktiv brenda mekanizmit bashkëpunues midis Kinës dhe CEEC ose "bashkëpunimit 17 + 1", Raduloviç theksoi rëndësinë e promovimit të marrëdhënieve ekonomike Kinë-Mali i Zi.

“Nisma e Kinës për të rritur bashkëpunimin me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore është shumë e rëndësishme për intensifikimin e aktiviteteve të mëtejshme në fushën ekonomike", -tha ministri Raduloviç. “Është një platformë e shkëlqyer për realizimin e projekteve dhe investimeve, si dhe për një pjesëmarrje më aktive të Malit të Zi në tregun kinez", -shtoi Raduloviç. Ai gjithashtu falënderoi Kinën për mbështetjen e saj në luftën e Malit të Zi kundër pandemisë Covid 19.

Duke vënë në dukje se vitin e ardhshëm shënohet 15-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Malit të Zi, ambasadori Liu tha se të dyja palët duhet ta marrin atë si një mundësi dhe të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të promovuar më tej marrëdhëniet e tyre miqësore për të mirën e të dy popujve. (Elona)