Taksa më të ulëta, por më shumë para në buxhetin e shtetit në një vit krize. Është ky planifikimi që bën Ministria shqiptare e Financave në projektbuxhetin 2021.

Vitin e ardhshëm, qeveria synon të mbledhë 437 miliardë lekë nga taksapaguesit, duke arritur në 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shkruan “A2”.

Paketa fiskale e vitit të ardhshëm pritet të përfshijë lehtësitë për biznesin e vogël, si heqja e Tatimit mbi Fitimin deri në fashën 14 milionë lekë dhe rritjen e pragut të TVSH-së në 10 milionë lekë xhiro në vit. Këto masa do t’i kushtojnë buxhetit rreth 4.6 miliardë lekë humbje. Ndërsa ndryshimi i vetëm me efekt pozitiv për buxhetin është rritja e pagës minimale, që parashikohet të sjellë rreth 3 miliardë lekë shtesë në arkën e shtetit.

Bazuar mbi këtë paketë fiskale lehtësuese, niveli në rritje i të ardhurave sipas financave do të bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal. Kjo do të thotë më shumë kontrolle të deklaratave dhe transaksioneve të bizneseve, si dhe një luftë më e fortë ndaj informalitetit.

Por të ardhurat optimiste të qeverisë nuk rrezikohen vetëm nga sa në lartësi të detyrës do të jenë tatimet e doganat, por edhe nga faktorë të tjerë të jashtëm si zgjatja e pandemisë, rezultatet e kompanive në bilancet e vitit 2020 dhe hyrja në fuqi me vonesë e rritjes së pagës minimale. (Redaktoi: Zhang Yan)