Shtëpia e atë Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë në Lezhë është shndërruar në një muze që rrit atraksionin turistik në të gjithë zonën, falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria shqiptare e Kulturës.

Gjatë përurimit të rinovimit të shtëpisë-muze, kryeministri Edi Rama deklaroi se ndërtesa e rindërtur e atë Gjergj Fishtës çel dyert në këtë përvjetor të lindjes së tij, ku tashmë ka një arsye më shumë për të ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare.

“Dita e vdekjes së Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdinë e të qenit “Homerë të Shqipërisë ”. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme gjuhësore. Njëri tosk e tjetri geg, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenare, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima”, deklaroi kryeministri Rama në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale.(Redaktoi:Zhang Yan)