Komisioni për Politikën e Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat Covid-19”.

Zëvendësministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albert Nikolla deklaroi se kjo nismë shkon në të njëjtën linjë me përpjekjet dhe menaxhimin e situatës së pandemisë nga qeveria shqipare. Ai tha se në kontekst të gjerë shkon paralel me hapat e Komisionit Evropian për sigurinë dhe hapat e vendeve të tjera të Evropës, duke ruajtur ecurinë sipas kritereve shkencore dhe jo ato ideologjike.

“Covax nënkupton mbledhjen e të gjithë shkencëtarëve, vendeve, kompanive dhe bizneseve për të siguruar vaksinën anti-Covid, përballë kërkesës globale në 2 miliardë doza”, -sqaroi sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Geraldina Prodani.

Ajo shtoi se falë pjesëmarrjes, procedurat e tenderimit do të bëhen nga vetë “Covax” dhe në fund të dhjetorit pritshmëritë janë që do të ketë një vaksinë, e që me anë të këtij instrumenti Shqipëria do ta sigurojë në kohë atë. (Redaktoi: Zhang Yan)