Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dekretoi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për Kodin Zgjedhor”.

Presidenti shprehet se ka vendosur kthimin e ligjit për rishqyrtim në Kuvend, si një mundësi e fundit që “mazhoranca qeverisëse e Partisë Socialiste, të reflektojë e të tërhiqet nga sjellja dhe veprimet antidemokratike që mund të favorizojnë PS-në në procesin zgjedhor të 25 prillit 2021, por që do të dëmtojnë rëndë Shqipërinë, qytetarët e saj dhe të ardhmen evropiane të tyre”.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, thuhet se “Kuvendi nuk ka legjitimitet për të realizuar reforma kushtetuese dhe aq më pak të ndryshimit të sistemit zgjedhor apo rregullave zgjedhore, pa konsensusin gjithëpërfshirës të opozitës reale, që ndodhet jashtë Kuvendit të Shqipërisë”.

“Në mungesë të funksionimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, asnjë pretendim qoftë dhe për këtë ligj ndryshues të Kodit Zgjedhor, nuk mund të shqyrtohet për të marrë një përgjigje përfundimtare”, shprehet presidenti.

“Me rritjen e pragut elektoral dhe vështirësitë e krijuara me këtë ligj për bashkim në koalicione parazgjedhore me listë unike konkurrimi, kryetarët e partive tashmë do të jenë të detyruar që të negociojnë me forcat kryesore politike për të përfshirë kandidatët e tyre brenda listës së një subjekti zgjedhor, duke sjellë kështu rrezikun e asfiksimit të këtyre forcave politike dhe nivelit të përfaqësimit të tyre në Kuvend, pavarësisht votave që ata mund të marrin në nivel rajonal”, thekson presidenti Meta.(Redaktoi: Zhang Yan)