“Kjo është një situatë e rëndë dhe e pazakontë. Po përballemi me një rishfaqje të epidemisë dhe duhet të përshpejtojmë bashkëpunimin, veçanërisht mbi gjurmimin dhe depistimin”, -deklaroi presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel.

“Kemi vendosur të intensifikojmë koordinimin e drejtuesve për të mundësuar frenimin e epidemisë”, -tha Michel në ditën e dytë të punimeve të samitit të BE-së, shkruan “Ansa”. “Duke marrë parasysh përkeqësimin e situatës së infektimeve me koronavirus ftoj Komisionin dhe shtetet anëtare të vazhdojnë përpjekjet e përgjithshme të koordinimit, veçanërisht përsa i përket rregullave të karantinës, gjurmimit të kontakteve transkufitare, strategjisë së testimeve, vlerësimin e përbashkët të metodave të testimit dhe kufizimit të përkohshëm të lëvizjeve jo thelbësore në BE”, nënvzoi Michel.

Për më tepër duke përshëndetur punimet e kryera në nivel europian mbi zhvillimet dhe shpërndarjen e vaksinave, Këshilli i Evropës rikonfirmoi nevojën e një procesi autorizimi dhe monitorimi, zhvillimin e kapaciteteve të vaksinimit në BE dhe një qasje të drejtë dhe të përballueshme për vaksinat.