Të ardhurat totale për 9-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 307.83 miliardë lekë, ose 99% të planit vjetor.

Sipas raportit mbi treguesit fiskal të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, krahasuar me një vit më parë të ardhurat kanë një tkurrje nga efektet e pandemisë prej 35.7 miliardë lekë.

“Performanca e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 9 mujore janar-shtator 2020 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë periudhës së pandemisë dhe lehtësitë fiskale në shtyrjen e mbledhjes apo zerimin e disa taksave. Performanca paraprake reflekton gjithashtu rritjen e shpenzimeve në ndihmë të bizneseve dhe individëve të prekur gjatë periudhës së pandemisë dhe ecurinë e investimeve në kuadër të prioriteteve të Qeverisë”, bën të ditur Ministria e Financave dhe Ekonomisë, shkruan “ATSH”.

Shpenzimet e përgjithshme publike u realizuan në masën 92% të planit të periudhës. Në shpenzimet e përgjithshme publike, përfshihet edhe Paketa Financiare anti-Covid-19, e parashikuar përmes dy akteve normative të buxhetit të vitit 2020.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe indikatorët makroekonomikë, niveli i deficitit më 2020-n rezultoi në rreth 58.42 miliardë lekë, 31.6% më i ulët nga planifikimi prej rreth 85.39 miliardë lekë.