Gjatë 7 muajve të parë të vitit, shtetet e Bashkimit Evropian kanë importuar nga Shqipëria rreth 5.7 milionë euro vlerë maska, nga vetëm 316 mijë euro që kishte qenë ky import për gjithë vitin 2019. Të dhënat e publikuara nga Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se importi ishte i lartë në prill e maj, duke kulmuar në qershor, ndërsa në korrik shihet një rënie e tij. Shtetet kryesore që kanë importuar maska nga Shqipëria janë Italia (2.8 milionë euro), Greqia (1 milionë euro), Franca (900 mijë euro), Gjermania (976 mijë euro) dhe Belgjika (278 mijë euro), sipas Eurostat-it.

Por të dhënat për të gjithë rajonin tregojnë se bizneset shqiptare nuk arritën ta shfrytëzonin menjëherë këtë mundësi, ndonëse industria tekstile është shumë e përhapur në vend dhe zë një peshë të konsiderueshme të eksporteve, me rreth 20% të totalit, sipas të dhënave të INSTAT-it.

Nga shtetet e rajonit, Maqedonia ka arritur që të shfrytëzojë më shumë nga të gjithë kërkesën e vendeve të BE-së. Importet e vendeve të BE-së të maskave të prodhuara në Maqedoni arritën në gati 17 milionë euro për periudhën janar-korrik 2020, nga 180 mijë euro gjatë gjithë vitit 2019. Më pas renditet Serbia me 13.4 milionë euro dhe Bosnja me 11.2 milionë euro. Eurostat njoftoi se vendet e Bashkimit Evropian importuan rreth 14 miliardë euro maska gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti. Shteti kryesor nga erdhën maskat ishte Kina, me 93.2% të totalit.