
Kryeministri Edi Rama inspektoi disa biznese të vogla në qytetin e Vlorës, ku theksoi se ato janë çliruar nga tatim-fitimi, TVSH-ja dhe vizitat e inspektorëve. “Shqipëria si asnjë vend tjetër do të jetë pa taksa për biznesin e vogël deri në vitin 2029”, -tha kreu i qeverisë.
“Shpresoj me heqjen e tatim-fitimit dhe të TVSH-së të rritet sadopak paga e punonjësve hap pas hapi. Por ajo që është kryesorja e kemi diskutuar si një aspekt themelor të kësaj mase për të hequr tatimin e TVSH-së për biznesin e vogël, që t’u çlirojë nga çdo lloj tensioni të inspektorëve”, -tha Rama, cituar nga “ATSH”.
“Të gjithë duhet të angazhohen për ta bërë detyrën me korrektesë, për të mos hedhur poshtë përpjekjet për t’i dhënë biznesit frymëmarrje të lirë. Natyrisht do të mbetet për t’u monitoruar pagesa e rregullt, punonjësit e regjistruar dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore, këto janë aspekte që nuk duhen lënë pas”, -tha kryeministri.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha se sigurimet shoqërore janë për të mirën e punonjësve. “Ne duam që biznesi t’i shikojë tatimet si mbështetës e konsulentë dhe e kemi fokusuar punën tonë nga zyra, në mënyrë që inspektimi të mos bëhet më në terren, dhe të shihemi si bashkëpunues. Ndonëse ka qenë një vit i vështirë në zonat turistike, ekonomia ka vazhduar të ecë”, -tha Ibrahimaj.







