Efekti i pandemisë së Covid 19 është ndjerë fort nga subjektet bare-restorante, që ishin mbyllur nga mesi i muajit mars deri më 1 qershor.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, indeksi i volumit të shitjeve të aktivitetit “Bar-restorante” ra me 55% në tremujorin e dytë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s. INSTAT raporton se mesatarisht, aktiviteti i bareve e restoranteve qarkullon rreth 375-390 milionë euro në vit. Mesatarisht çdo tremujor, shqiptarët shpenzojnë në kohë normale në bare e restorante rreth 95-97 milionë euro. Ndërsa në tremujorin e dytë 2020, në kulmin e karantinës rezulton të jetë shpenzuar 55% më pak, ose rreth 54 milionë euro më pak për ritualin e përditshëm të kafesë, ose konsumit të pijeve e produkteve ushqimore për restorante, shkruan “Monitor”.
Mbyllja e bareve dhe restoranteve ndikoi negativisht edhe në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT-it, shkurtimet më të mëdha nga puna janë aplikuar nga sektori i bareve dhe restoranteve ku raportohet rënie e indeksit të punësimit me 31.8%, e pasuar nga hotelet dhe fabrikat.







