Në konferencën e zhvilluar të hënën nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale “Mbrojtja e të drejtave të pronësisë industriale, hap i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj theksoi rëndësinë që ka regjistrimi i markës dhe patentës, shkruan “ATSH”.

Sipas ministres Denaj, bizneset e kanë kuptuar rëndësinë e patentës dhe certifikimit të saj brenda standardeve ligjore që njihen botërisht.

“Certifikimi i patentës e bën më të lehtë shitjen e produkteve dhe e bën produktin “Made in Albania” jo vetëm të ketë atë vlerë në treg, por i rrit prestigjin edhe Shqipërisë”, shtoi ministrja. Rreth 7 mijë aplikime, nga të cilat 4500 marka janë për produkte shqiptare, janë depozituar nga subjektet shqiptare pranë DPPI-së.