Modeli shqiptar Rolando Lekaj, me një karrierë disavjeçare në Kinë gjatë një lidhje online nga Shangai me televizionin kombëtar Klan bëri të ditur të martën se ai dhe bashkëshortja kineze Tereza me ndihmën e ambasadës së Kinës në Shqipëri kanë dhuruar 300 mijë maska antivirus për Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë dhe spitalin e vendlindjes së tij, Lezhës.

"Pavarësisht se jemi shumë larg Shqipërisë ne mbetemi shqiptarë. Menduam fillimisht të dërgonim 200 mijë maska por kur pamë rritjen e numrit të të prekurve vendosëm të dërgonim 300 mijë. Shpresojmë të mos jetë shumë e forte vala e dytë e epidemisë, por këto maska realisht i nevojiten Tiranës dhe spitalit të qytetit tim të lindjes, Lezhës" u shpreh modeli Rolando Lekaj për televizionin Klan.

I pyetur për situatën e epidemisë në Kinë modeli Lekaj tha se në Hanzhou ku ai jeton gjendja është mjaft e qetë dhe për këtë ai veçoi marrjen e masave të rrepta për parandalimin e përhapjes së virusit. "Kudo që të lëvizësh nëpër qytet kontrolli për parandalimin e pandemisë është shumë i lartë" tha Lekaj.

Modeli Lekaj u bëri thirrje bashkatdhetarëve në Shqipëri që të shtojnë masat mbrojtëse ndaj epidemisë së koronavirusit dhe të mos i nënvleftësojnë ato.

Lekaj e nisi modelingun në Shqipëri dhe më pas karriera e tij u zhvillua në Pekin dhe Shangai ku dhe jeton prej vitesh dhe ka krijuar familjen tij me biznesmenen kineze, Tereza. (Eda Merepeza )