Më 1 qershor, ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding vizitoi dy familje me të ardhura të ulëta në Tiranë. Ai u shprehu fëmijëve të këtyre familjeve urime me rastin e Ditës së Fëmijëve dhe u dhuroi materiale kundër epidemisë, ushqime, mjete shkrimi etj.

Ambasadori Zhou tha se, megjithëse Kina e Shqipëria ndodhen larg njëra-tjetrës, historia dhe realiteti i kanë afruar dy vendet dhe të dy popujt kanë kujtime të paharrueshme historike dhe ndjenja miqësore. Pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, qeveria dhe populli kinez i kanë dhuruar Shqipërisë shumë materiale në ndihmë të luftës kundër epidemisë. Megjithëse familjet në nevojë kanë mungesa materiale, fëmijët e tyre janë shumë optimistë. Ai shprehu shpresën se fëmijët shqiptarë do të rriten me shëndet, duke dhënë kontributin e tyre për përparimin e shoqërisë shqiptare. Ambasadori Zhou i ftoi gjithashtu fëmijët ta vizitojnë ambasadën e Kinës pas përfundimit të epidemisë.

Familjet që vizitoi ambasadori Zhou Ding e falënderuan ambasadën kineze për ndihmën. Ata theksuan se do të krijojnë kushte më të mira për rritjen e fëmijëve dhe shprehën shpresën se fëmijët do ta njohin më mirë Kinën.

Ambasada e Kinës u dhuroi edhe 100 familjeve shqiptare me të ardhura të ulëta ushqime dhe materiale kundër epidemisë nëpërmjet organizatës joqeveritare shqiptare "World Vision". (Fani)