Më shumë se njëqind emigrantë që arritën së fundmi në ishullin Lesbos të Greqisë, janë vendosur në karantinë.

Grupe emigrantësh u panë të dielën duke jetuar në fusha, duke gatuar në zjarre të hapura dhe duke u strehuar në tenda të siguruara nga agjencitë e ndihmës.

Samuel, emigrant nga Uganda, shprehet:

"Jemi nën karantinë nga qeveria greke dhe UNHCR-ja. Ata erdhën dhe i testuan të tërë, dhe të gjithë ishin negativë. Sidoqoftë, ne do të karantinohemi për 14 ditë."

Në tre muajt e fundit, qeveria ka zhvendosur më shumë se 2 000 migrantë nga ishujt në pjesën kontinentale, si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar mbingarkesën në kampet e emigrantëve.

Më shumë se 110 000 veta aktualisht jetojnë në objektet për emigrantët në të gjithë vendin. 40 000 prej tyre gjenden në kampet e mbipopulluara në pesë ishuj, ku deri më tani nuk është raportuar asnjë rast i koronavirusit.