Sipas të dhënave zyrtare, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti PPB-ja e Kinës u rrit me 2.5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Në tremujorin e parë të sivjetshëm rritja ishte 4.8 për qind dhe në të dytin 0.4 për qind. Në korrik, në kontekstin e gjendjes së ndërlikuar ndërkombëtare, ngadalësimit të rimëkëmbjes ekonomike globale dhe pandemisë brenda Kinës, si edhe të faktorëve negativë klimatikë të të nxehtit dhe reshjeve të shiut, zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë kineze u arrit me shumë vështirësi.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Sipas "Raportit të sondazhit mbi mjedisin e biznesit me investime të huaja në Kinë", të publikuar mbi dhjetë ditë më parë nga Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës, 91 për qind e ndërmarrjeve të huaja e ruajtën ose e zgjeruan përmasën e biznesit të tyre. “Zgjerimi i tregut” dhe “Kina është fokusi strategjik i sipërmarrjes”, këta janë dy faktorët kryesorë pse kompanitë e huaja i rritin investimet e tyre në Kinë.

Për ekonominë kineze, punësimi dhe çmimet janë faktorë të rëndësishëm. Në korrikun e sivjetshëm, shkalla e papunësisë urbane në Kinë ishte 5.4 %, duke rënë 0.1 pikë përqindjeje nga qershori. Njëkohësisht, çmimet e konsumit në korrik u rritën me 2.7 %, më pak se objektivi i parashikuar prej rreth 3 % për të gjithë vitin. Aktualisht, ka inflacion të lartë në mbarë botën. Çmimet në Kinë janë të qëndrueshme, duke krijuar një dallim të dukshëm me ShBA-në dhe vendet e Europës, që kanë pasur një rritje çmimesh prej më shumë se 8%.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Në maj, qeveria kineze propozoi 33 politika dhe masa në gjashtë fusha, duke përfshirë politikën fiskale, politikën financiare e monetare, stabilizimin e investimeve dhe nxitjen e konsumit, garantimin e sigurisë energjetike dhe ushqimore, si edhe garantimin e nevojave themelore të jetesës. Me zbatimin e këtyre masave, ekonomia kineze po rimëkëmbet në mënyrë të qëndrueshme.

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kinë dhe Dhomës Gjermane të Tregtisë në Kinë, mbi 60 për qind e sipërmarrjeve amerikane dhe mbi 70 për qind e atyre gjermane planifikojnë të rritin investimet e tyre në Kinë. Sivjet kompanitë e huaja, si BMW, “Volkswagen”, “Hyundai” dhe “Scania”, i rritën investimet e tyre në Kinë. Në Ekspozitën e 2-të Ndërkombëtare të Produkteve të Konsumit të Kinës, që u mbajt në korrik në Hainan, sipërfaqja e pavijoneve ndërkombëtare zuri rreth 80 për qind të ekspozitës, duke tërhequr mbi 1600 ndërmarrje të 61 vendeve dhe rajoneve.

[Foto: VCG]

Aktualisht, rreziku i stagflacionit të ekonomisë botërore është në rritje dhe themeli i rimëkëmbjes ekonomike të Kinës ende nuk është i fortë. Pavarësisht shumë vështirësive dhe sfidave, prirja bazë pozitive afatgjatë për ekonominë kineze nuk kanë ndryshuar. Me një sërë masash për të kontrolluar pandeminë, për të stabilizuar ekonominë dhe për të garantuar sigurinë zhvillimore, pritet që ekonomia kineze të rimëkëmbet, dhe do t’i japë ekonomisë globale më shumë besim dhe forcë.

Investimi në Kinë është investim për të ardhmen, dhe koha do ta vërtetojë këtë.(Li Huailiang/Artan)