Presidenti kinez Xi Jinping i dërgoi të shtunën një mesazh urimi homologut të vet egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi me rastin e 70-vjetorit të Ditës Kombëtare të Egjiptit.

Egjipti ka ndjekur në mënyrë të vendosur një rrugë të pavarur në vitet e fundit, tha Xi, duke vlerësuar zhvillimin dhe ndikimin e rëndësishëm të këtij vendi të Afrikës Veriore në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Ai përmendi Dialogun e Nivelit të Lartë për Zhvillimin Global muajin e kaluar, ku morën pjesë të dy udhëheqësit, duke e përshkruar dialogun si "të frytshëm" e si një thirrje të fortë për arritjen e zhvillimit dhe lulëzimit të përbashkët.

Kreu i shtetit i Kinës tha se i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kino-egjiptiane dhe është i gatshëm të bëjë përpjekje të përbashkëta me presidentin Sisi që të dy vendet të mbështetin me vendosmëri njëri-tjetrin, duke promovuar bashkëpunimin dypalësh në kuadër të “Një brez, një rrugë”.

Nisma “Një brez, një rrugë”, e propozuar nga Kina në vitin 2013, përfshin Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugën Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-së. Ajo synon ndërtimin e rrjeteve tregtare e infrastrukturore që lidhin Azinë me Evropën dhe Afrikën përgjatë dhe përtej Rrugës së lashtë të Mëndafshit.

Xi shtoi se ai është i gatshëm të punojë me presidentin egjiptian për bashkëpunimin lidhur me zbatimin e Nismës së Zhvillimit Global, për të mbrojtur interesat e përbashkëta të vendeve në zhvillim dhe për të bërë përpjekje për ndërtimin e një bashkësie Kinë-Egjipt me një të ardhme të përbashkët në epokën e re, me përfitime për të dy vendet dhe popujt e tyre.

Kina e propozoi Nismën e Zhvillimit Global në shtator të vitit të kaluar për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar lidhur me Agjendën për Zhvillim të Vazhdueshëm 2030 të Kombeve të Bashkuara. (Artan)