Qeveria kineze ka ndarë 468 milionë juanë (rreth 69.5 milionë dollarë amerikanë) për punën e riparimit të projekteve të ruajtjes së ujit të dëmtuara nga përmbytjet dhe tërmetet, bën të ditur “Xinhua”.

Fondi është ndarë në 10 rajone të nivelit provincial, si Guangdong i Kinës jugore, për të rritur përpjekjet në parandalimin e përmbytjeve, sipas Ministrisë së Burimeve Ujore.

Që nga fillimi i sezonit të përmbytjeve këtë vit, reshjet e dendura të shiut kanë rezultuar në përmbytje në degët e lumit Zhujiang dhe lumit Yangtze dhe provinca Sichuan e Kinës jugperëndimore ka pësuar dy tërmete të mëdha.

Këto fatkeqësi natyrore kanë dëmtuar projektet lokale të ruajtjes së ujit dhe i kanë lënë ato të prekshme ndaj përmbytjeve. (Elona)