Sipas hetimeve të bëra nga BBC-ja lidhur me të dhëna të tilla si raportet, e-mailet dhe fotot në vendngjarje, ish-anëtarë të Shërbimeve Speciale Ajrore Britanike (SAS) në Afganistan kanë vrarë në mënyrë të përsëritur personat e ndaluar dhe civilët e paarmatosur, madje kanë "konkurruar me njëri-tjetrin se kush vret më shumë". Ka të ngjarë që një prej tyre të ketë vrarë 54 veta gjatë një periudhe gjashtëmujore. Përveç kësaj, është zbuluar njëkohësisht se trupat pjesëmarrëse kanë fabrikuar gjurmët në terren dhe oficerët nuk raportuan pasi mësuan për këtë dukuri.

Ushtarë britanikë, Afganistan(Foto:VCG)
Megjithatë, Ministria britanike e Mbrojtjes, në vend të kërkimit të fajtorëve, ngriti kritika ndaj BBC-së, me thënie si "përmbajtjet e raportimeve janë të papërgjegjshme e jo të drejta" dhe "vënie në rrezik e ushtarëve në frontin e parë". Ndërsa shumë ekspertë, pasi studiuan fotot e publikuara, janë të mendimit se shumica e atyre që ishin qëlluar prej plumbave nuk ishin në pozicionin e zakonshëm të "shkëmbimit të zjarrit" dhe se ato që kishin ndodhur në terren ishin "vrasje të stilit të ekzekutimit". Në një koment të publikuar nga gazeta "The Guardian" thuhet se dëshmitë e tanishme vërtetuan se ushtarët britanikë kishin kryer krime lufte, por kjo nuk është "befasuese", sepse në vitin 2020, Gjykata Ndërkombëtare kishte gjetur dëshmi për krime lufte në Irak të trupave ushtarake britanike.

Një ushtar australian në një mision në Afganistan(Foto:VCG)
Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës, thuhet se ushtria britanike nuk është e vetme. Në dhjetorin e vitit 2020, në një raport hetimor të publikuar nga Departamenti australian i Mbrojtjes, shënohen veprimet antinjerëzore të ushtarëve australianë në Afganistan, si për shembull, prerja e fytit të dy djemve 14-vjeçarë dhe hedhja e trupave të tyre në lumë.
Në dhjetorin e vitit 2021, në "New York Times" u botuan një sërë raportimesh nga gazetarja Azmat Khan, që zbuluan vrasjet masive të civilëve nga trupat amerikane në Afganistan. Sipas raportimeve, ushtarët i kishin drejtuar armët e zjarrit ndaj "fermerëve në ara, fëmijëve në rrugë, familjeve që largoheshin nga luftimet dhe fshatarëve që fshiheshin nëpër shtëpi".

Ushtarë amerikanë në Afganistan(Foto:VCG)
"Sipas rregullave të Konventës së Gjenevës, ndalohen vrasja, kërcënimi, keqtrajtimi dhe dëbimi i banorëve paqësorë, dhe ata që nuk marrin pjesë në luftime, duhet të trajtohen në mënyrë humanitare në çdo rast", përfundon komenti i CMG-së.







