
Foto nga VCG
Të dielën, presidenti amerikan Joe Biden përfundoi turneun e tij në Lindjen e Mesme dhe u kthye në Uashington. Para vizitës, Joe Biden u shpreh se ajo do të çelte një “faqe të re” në marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së e Lindjes së Mesme, por kreu i Shtëpisë së Bardhë doli nga kjo vizitë duarbosh. Revista amerikane “The New Yorker” komentoi se turneu 4-ditor shfaqi dështimin e politikës së Lindjes së Mesme të presidentit Biden.
Problemi i energjisë ishte një temë e rëndësishme në turneun e Joe Biden-it. Por në ditën kur ai mbërriti në Izrael, Departamenti i Punës i ShBA-së publikoi Treguesin e Çmimeve të Konsumit (CPI) për qershorin, i cili u rrit 9.1% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar rekordin më të lartë gjatë 41 vjetëve të fundit. Çmimi i lartë i energjisë është arsyeja kryesore për këtë rritje. Siç njoftohet nga gazeta “The New York Times”, bindja e Arabisë Saudite për të shtuar prodhimin e naftës e të gazit ishte fokusi i turneut të Joe Bidenit në Lindjen e Mesme.
Por sipas deklaratës së përbashkët të bërë pas takimit mes presidentit amerikan dhe mbretit saudit, Arabia Saudite nuk dha premtim të qartë për shtimin në përmasa të mëdha të prodhimit të naftës. Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Adel al-Jubeir u shpreh se shtimi apo jo i prodhimit të naftës varet nga oferta në treg. Analistë shprehën mendimin se Arabia Saudite ka aftësi të kufizuar për shtimin e prodhimit, dhe njëkohësisht duhet të mbajë parasysh marrëveshjen e prodhimit të naftës me Rusinë në OPEK. Prandaj, Riadi e ka të pamundur që të shmanget nga politikat tashmë të përcaktuara energjetike e të jashtme për interesat e Uashingtonit.
Njëkohësisht, synimi i palës amerikane për përjashtimin e Kinës nga Lindja e Mesme nuk pati rezultat. Kryediplomati saudit Adel al-Jubeir e tha qartë se Kina është partnere tregtare, treg i energjisë dhe investitore e rëndësishme për Arabinë Saudite. (Fani/Artan)







