
VCG
Një total prej 178.728 persona në Hong Kong kanë marrë dozën e katërt të vaksinave Covid-19, treguan të dhënat zyrtare, njofton “Xinhua”.
Që nga fillimi i një programi të vaksinimit masiv në shkurt 2021, rreth 6.76 milionë njerëz, ose 92.8 për qind e popullsisë së kualifikuar në Hong Kong, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinave, ndërsa mbi 6.49 milionë, ose 89.2 për qind e popullatës së kualifikuar, ka marrë dy doza.
Që nga e shtuna, 65.8 për qind e njerëzve të kualifikuar në Hong Kong kanë marrë dozat e tyre përforcuese.
Një zëdhënës i Qendrës për Mbrojtjen e Shëndetit (CHP) theksoi se meqenëse situata lokale e infeksionit Covid-19 është ende e rëndë, CHP-ja i bën thirrje me forcë komunitetit që të vazhdojë të respektojë masat e distancimit social, të shmangë daljen dhe të përmbahet nga pjesëmarrja në aktivitete ose tubime të panevojshme ose zona të popullura.
Zëdhënësi tha se vaksinat anti-Covid janë shumë efektive në parandalimin e rasteve të rënda dhe vdekjeve, duke u bërë thirrje njerëzve që ende nuk janë vaksinuar, veçanërisht të moshuarit, pacientët kronikë dhe personat me imunitet të kompromentuar që përballen me një shans më të lartë të vdekjes pas infektimit me Covid, të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur. (Fatosi)







