foto/CFP

foto/CFP

Në sfondin e shpërthimeve të COVID-19 dhe një mjedisi kompleks ndërkombëtar, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Kinës në gjysmën e parë të këtij viti u rrit me 2.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, treguan të premten të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave.

Në tremujorin e dytë, PBB-ja e Kinës u rrit me 0.4 për qind.

Ekonomia kineze u përball me shtimin e presionit të rënies në tremujorin e dytë, për shkak të faktorëve të papritur si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, por me politikat e fundit mbështetëse dhe vënien nën kontroll të shpërthimeve të COVID-19, ekonomia nisi stabilizimin e rimëkëmbjen, tha të premten zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave Fu Linghui.

Mëkëmbja ekonomike në janar dhe shkurt ishte më e mirë sesa pritej, ndërsa treguesit kryesorë ekonomikë ranë ndjeshëm në mars e prill pas ndikimit të krizës Rusi-Ukrainë dhe shpërthimeve të COVID-19, por ka pasur më shumë përmirësime që nga maji, tha Fu Linghui.

Prodhimi industrial me vlerë të shtuar i Kinës, një tregues i rëndësishëm ekonomik, u rrit me 3.4 për qind në gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, mbi të gjitha falë rritjes 9.6 për qind të prodhimit të teknologjisë së lartë.

Vetëm në qershor, rritja e prodhimit industrial, e cila përdoret për të matur aktivitetin e ndërmarrjeve të mëdha me një biznes vjetor prej të paktën 20 milionë juanësh (2.96 milionë dollarë), u shtua në 3.9 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vjetshën, 3.2 pikë përqindjeje më shumë se në maj.

Investimet në pasuri fikse në Kinë u rritën 6.1 për qind në periudhën janar-qershor të sivjetshme krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, duke përfshirë një rritje prej 7.1 për qind në infrastrukturë dhe 10.4 për qind në prodhim. Në sektorin e pasurive të paluajtshme investimet ranë me 5.4 për qind.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, në gjysmën e parë të këtij viti shitjet me pakicë të mallrave të konsumit ranë 0.7 për qind, ndërsa shitjet me pakicë në internet u rritën 3.1 për qind.

Në qershor shitjet me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë ishin 3.1 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2021, duke u mëkëmbur nga rënia 11.1 për qind në prill dhe 6.7 për qind në maj.

Shkalla e papunësisë urbane e anketuar e Kinës ishte 5.5 për qind në qershor, nga 5.9 për qind në maj, ndërsa të ardhurat e disponueshme për frymë arritën në 18 463 juanë (rreth 2 735 dollarë) në gjysmën e parë të vitit 2022, 4.7 për qind më shumë se në janar-qershorin e vjetshëm.

Raporti i të ardhurave mesatare të disponueshme për frymë në zonat urbane kundrejt të ardhurave në zonat rurale është 2.55, duke u ulur me 0.06 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (Artan)