
foto/VCG
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha të hënën se bashkëpunimi i Kinës me vendet ishullore të Paqësorit përqendrohet në zhvillimin dhe përfitimet e ndërsjella.
Mediat australiane raportuan se bashkëpunimi lidhur me Zonën e Posaçme Ekonomike ndërmjet Kinës dhe Guinesë së Re Papua përfshin ngritjen e një baze ushtarake. Ministria e Jashtme e Guinesë së Re Papua ka publikuar një deklaratë pak ditë më parë, duke theksuar se raportimet e sipërpërmenduara janë të pabaza.
Në përgjigje të pyetjes përkatëse, Wang Wenbin theksoi se pala kineze e ka vënë re se Ministria e Jashtme e Guinesë së Re Papua ka bërë sqarime publike për këtë çështje. Sipas tij, siç u theksua edhe nga pala e Guinesë së Re Papua, njoftimet përkatëse shpërfillin fakte dhe janë të pabaza.
“Gjatë viteve të fundit, Kina ka zbatuar një sërë projektesh ekonomike, teknologjike dhe investimesh në Guinenë e Re Papua, të cilat kanë dhënë një ndihmesë të rëndësishme në promovimin e zhvillimit ekonomik vendor dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve, duke u mirëprituar nga populli dhe qeveria e Guinesë së Re Papua. Kina ka bashkëpunuar me Guinenë e Re Papua dhe vendet e tjera ishullore të Paqësorit për të nxitur zhvillimin dhe përfitimet e ndërsjella, e nuk ka kërkuar kurrë sfera ndikimi dhe nuk ka qenë asnjëherë e interesuar për konkurrencë gjeopolitike,” u shpreh zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Fang Xiaoyu/Artan)







