
Foto:VCG
Kina dhe Gjermania ranë dakord të përfitojnë nga 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme, njofton “Xinhua”.
Gjatë takimit me homologen gjermane Annalena Baerbock, në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të G20-s, në Indonezi, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha se zhvillimi i partneritetit strategjik të gjithanshëm mes dy vendeve ka qenë i frytshëm dhe zhvillimi i lidhjeve dypalëshe ka arritur në një fazë të pjekur.
Kina është e gatshme të bashkojë duart me Gjermaninë për të përmbledhur përvojën dhe për të hartuar bashkëpunimin dypalësh për 50 vitet e ardhshme, në mënyrë që të injektojë një shtysë të re në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, tha Wang.
Baerbock tha se Gjermania i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të lidhjeve me Kinën dhe pret të përfitojë nga 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat.
Gjermania shpreson të ketë dialog me Kinën për sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, si dhe të rrisë bashkëpunimin dhe shkëmbimet për ndryshimet klimatike, zhvillimin e gjelbër dhe reduktimin e emetimeve, tha kryediplomatja gjermane.
Wang tha se është e natyrshme që Kina dhe Gjermania kanë pikëpamje të ndryshme për çështjen e të drejtave të njeriut, pasi të dy vendet ndryshojnë në sistemet sociale, fazat e zhvillimit dhe prejardhjen historike dhe kulturore.
Partia Komuniste e Kinës që ka nxjerrë 1.4 miliardë kinezë nga varfëria ekstreme për të nisur një udhëtim të ri drejt prosperitetit të përbashkët është një kontribut i madh për qytetërimin njerëzor, vuri në dukje Wang. Ai shtoi se Kina do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për të promovuar zhvillimin e kauzës së saj të të drejtave të njeriut dhe është e gatshme të vazhdojë shkëmbimet miqësore me vendet e tjera për këtë çështje bazuar në respektin reciprok.
Lidhur me krizën në Ukrainë, Wang theksoi se të gjithë pjesëmarrësit në takimin e ministrave të Jashtëm të G20-s kanë bërë thirrje për një armëpushim dhe paqe.
Kina ka punuar për të nxitur paqen dhe për të lehtësuar bisedimet, ka inkurajuar palët përkatëse të negociojnë për një zgjidhje dhe do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv për këtë çështje, shtoi ai. (Fatosi)







