Kina dhe Gjermania nënshkruan ditët e fundit një marrëveshje që përfshin dhjetë projekte të bashkëpunimit tregtar, me një vlerë prej rreth 200 milionë eurosh. Kjo tregon se investitorët e huaj janë optimistë për tregun kinez, duke demaskuar farsën e agjencive amerikane dhe britanike të zbulimit, theksohet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).
![[Foto: VCG]](https://mim-img1.cctv.cn/images/zhycms_albanian/20220710/df7948ed-7738-417a-b7c0-b5c71216add1.jpg?x-oss-process=image/quality,q_90/resize,w_650)
[Foto: VCG]
Drejtori i FBI-së amerikane Christopher Wray dhe shefi i MI5-s britanike Ken McCallum deklaruan të mërkurën në një konferencë shtypi se Kina synon të “grabitë” pronësinë intelektuale të vendeve perëndimore nëpërmjet “spiunazhit ekonomik” dhe piraterisë në internet, për të arritur objektivin e udhëheqjes në sektorët kyçë, duke shpifur që Kina është “kërcënimi më i madh afatgjatë”. Po atë ditë, agjencitë amerikane të zbulimit u dërguan zyrtarëve të shteteve dhe drejtuesve të biznesit një të ashtuquajtur “njoftim kundër spiunazhit”.
Publiku ende e mban mend farsën e krijuar nga agjencitë amerikane të zbulimit me misionin e gjurmimit të koronavirusit. Në vitin 2018, kur administrata e Trump-it nisi luftën tregtare me Kinën, pala amerikane e akuzoi Kinën për “vjedhje” të teknologjisë. Më vonë, në muajin nëntor të atij viti, ShBA-ja nisi “Planin e veprimit për Kinën”, duke kërkuar 94 prej departamenteve të drejtësisë që të ngrenë të paktën një ose dy padi kundër Kinës për të krijuar idenë e “spiunazhit ekonomik të Kinës për vjedhjen e rezultateve shkencore”. Rreth dy mijë ekspertë i dërguan një letër të përbashkët Prokurorit të Përgjithshëm të ShBA-së, duke shprehur dyshime ndaj këtij plani. Në shkurtin e sivjetshëm, Departamenti amerikan i Drejtësisë shpalli pezullimin e planit, duke pohuar se ai ishte i gabuar.
Lidhur me ngjarjen e “Prisma”-s, Edward Snowden-i ka dhënë prova se ShBA-ja ka piratuar për një kohë të gjatë serverat e selisë së “Huawei”-t në Kinë dhe ka monitoruar komunikimet e drejtuesve të “Huawei”-t. Në fakt, sivjet agjencia e sigurisë kibernetike e Kinës ka zbuluar sulme kibernetike nga CIA dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së mbi objektivat në shumë vende, duke përfshirë Kinën.
Deri tani ShBA-ja nuk ka dhënë asnjë provë se Kina “ka vjedhur” teknologjinë e vendeve perëndimore, ndërsa ka shumë prova se ShBA-ja ka zbatuar në mënyrë të vazhdueshme spiunazhin ekonomik dhe piratërinë kompjuterike. Është shumë e dukshme se kush përbën “kërcënimin më të madh afatgjatë,” vijon komenti i CMG-së.
Në renditjen e Treguesit Global të Inovacionit të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Pronësisë Intelektuale, Kina u ngrit në vendin 12-të vitin e kaluar, nga vendi i 34-t në vitin 2012, duke u futur në radhën e vendeve inovative. Gjatë dhjetë vjetëve, Kina ka pasur shumë arritje në inovacionin dhe zhvillimin e teknologjisë së lartë. Bashkia e qytetit kinez Changzhou dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë në Kinë nënshkruan të enjten marrëveshjen e bashkëpunimit tregtar, duke përfshirë fushën e automjeteve elektrike inteligjente, mjekësisë së re, prodhimit të pajisjeve e materialeve të reja etj., duke dëshmuar njohjen për mbrojtjen e pronësisë intelektuale në Kinë.
![[Foto: VCG]](https://mim-img0.cctv.cn/images/zhycms_albanian/20220710/1c1ff21c-886c-4224-9aea-a14b301a5f39.jpg?x-oss-process=image/quality,q_90/resize,w_650)
[Foto: VCG]
Në takimin e fundit ndërmjet ministrave të jashtëm të Kinës dhe ShBA-së, pala kineze vuri në dukje se ShBA-ja po vuan gjithnjë e më shumë nga “fobia për Kinën”. Nëse kjo “fobi” shtohet më tej, politika amerikane ndaj Kinës nuk do të ketë një të ardhme të mirë. Ditët e fundit, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Zbulimit, profesori i Universitetit të Harvardit Joseph S. Nye, ka shkruar në një artikull se një strategji e mirë duhet të lejojë si bashkëpunimin ndërmjet Kinës e ShBA-së, ashtu edhe konkurrencën ndërmjet tyre. Ky sugjerim vlen të dëgjohet nga politikanët amerikanë. Kina mirëpret konkurrencën e drejtë e të shëndetshme dhe kundërshton “lojën ku fituesi i merr të gjitha” të paskrupullt. Krijimi i gënjeshtrave për Kinën përbën “kërcënimin e vërtetë” për ShBA-në dhe mbarë botën perëndimore, e mbyll komentin CMG-ja. (Li Huailiang/Artan)







