Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të premten me homologen franceze Catherine Colonna në Bali të Indonezisë, ku të dy kryediplomatët ndodhen për të marrë pjesë në Mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të G20-s. Të dyja palët u zotuan të përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe BE-së.

Nën drejtimin strategjik të dy liderëve të të dy vendeve, marrëdhëniet kino-franceze kanë ruajtur një hov të qëndrueshëm zhvillimi, gjë që jo vetëm u ka sjellë përfitime popujve të të dy vendeve, por edhe i ka shtuar stabilitetin botës, tha kryediplomati kinez.

[Foto:Ministria e Jashtme e Kinës]

[Foto:Ministria e Jashtme e Kinës]

Kina e vlerëson besimin e ndërsjellë dhe miqësinë midis dy vendeve, tha Wang, duke shtuar se Kina e vlerëson lart dhe e mbështet autonominë strategjike të Francës. Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin pragmatik me Francën dhe të promovojë ngritjen në një nivel të ri të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis të dy vendeve.

Nga ana e saj, Colonna vuri në dukje se Franca dhe Kina kanë ruajtur komunikimin e ngushtë dhe bashkëpunimin e mirë në një gamë të gjerë çështjesh dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Edhe pala franceze e vlerëson miqësinë dypalëshe dhe është e përkushtuar për promovimin e vazhdueshëm të partneritetit të gjithanshëm strategjik dypalësh, tha ministrja franceze.

Sipas saj, Franca do të vazhdojë të ruajë traditën e autonomisë strategjike dhe beson me vendosmëri në zbatimin e Kartës së OKB-së dhe respektimin e parimit të sovranitetit. Duke vënë në dukje se Franca e vlerëson rolin e rëndësishëm të Kinës në ruajtjen e stabilitetit global, Colonna shprehu besimin se forcimi i bashkëpunimit strategjik ndërmjet Francës dhe Kinës është i rëndësishëm për të përballuar sfidat globale.

[Foto:VCG]

[Foto:VCG]

Të dy palët ranë dakord të promovojnë shkëmbimet njerëzore dhe të forcojnë bashkëpunimin në çështjet e klimës dhe mbrojtjen e biodiversitetit.

Wang dhe Colonna shkëmbyen gjithashtu mendime mbi marrëdhëniet Kinë-BE. Kreu i diplomacisë kineze tha se, si dy forca kryesore me ndikim global, Kina dhe BE-ja duhet t’i përmbahen shtysës kryesore të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella dhe drejtimit bazë të partneritetit të gjithanshëm strategjik.

Kina e vlerëson dhe pret që pala franceze të vijojë të luajë një rol konstruktiv për marrëdhëniet Kinë-BE, theksoi Wang.

Colonna, nga ana e saj, u shpreh se pala franceze gjithmonë mbështet përparimin e marrëdhënieve evropiane-kineze dhe nxit arritjen e konsensusit nëpërmjet dialogut.

Të dy palët shkëmbyen mendime edhe për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët, duke përfshirë Ukrainën dhe Gadishullin Korean. (Li Huailiang/Artan)