Këshilltari i Shtetit kinez dhe ministri i Jashtëm Wang Yi diskutoi me ministrin e Punëve të Jashtme indiane Subrahmanyam Jaishankar mbi çështjen e Ukrainës gjatë pjesëmarrjes së tij në takimin e kryediplomatëve të G20-s, në Bali të Indonezisë, shkruan “Xinhua”.
![[Foto:Ministria e Jashtme e Kinës]](https://mim-img0.cctv.cn/images/zhycms_albanian/20220709/1c126ce3-827d-4ac5-8c03-768ee1d19c6b.jpg?x-oss-process=image/quality,q_90/resize,w_600)
[Foto:Ministria e Jashtme e Kinës]
Wang shpjegoi tre shqetësimet e Kinës për situatën aktuale në Ukrainë.
Së pari, tha Wang, Kina kundërshton aktin e shfrytëzimit të mundësisë për të nxitur mendimin e Luftës së Ftohtë, duke nxitur konfrontimin e bllokut dhe duke krijuar një Luftë të re të Ftohtë.
Ai tha se përballë sfidave komplekse dhe të rënda, bota vlerëson unitetin sesa ndarjen dhe ajo që nevojitet është dialogu dhe jo konfrontimi.
Wang theksoi se Kina do të vazhdojë të qëndrojë e palëkundur në anën e duhur të historisë dhe në anën e promovimit të bisedimeve të paqes.
Së dyti, Kina kundërshton praktikën e standardeve të dyfishta që minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, tha ai.
Disa vende theksojnë parimin e sovranitetit për çështjen e Ukrainës, por vazhdojnë të sfidojnë sovranitetin e Kinës dhe parimin e një Kine për çështjen e Tajvanit, madje edhe qëllimisht krijojnë tensione në ngushticën e Tajvanit, që është padyshim një standard i dyfishtë, shtoi ai.
Wang tha se Kina kundërshton çdo përpjekje për të barazuar krizën e Ukrainës me çështjen e Tajvanit, duke vënë në dukje se Kina do të mbrojë me vendosmëri interesat e saj thelbësore.
Së treti, ai tha se Kina kundërshton çdo akt për të minuar të drejtën legjitime të vendeve të tjera për zhvillim.
Disa vende e kanë përdorur krizën e Ukrainës si një justifikim për të keqpërdorur sanksionet e njëanshme ndaj Kinës dhe vendeve të tjera, gjë që nuk është as e justifikuar dhe as ligjore, tha Wang, duke shtuar se veprime të tilla minojnë shkëmbimet normale shtet-shtet, shkelin rregullat mbizotëruese të tregtisë ndërkombëtare dhe çojnë në komplikime dhe përshkallëzim të mëtejshëm të krizës në Ukrainë.
Wang tha se të gjitha palët duhet së bashku t'i rezistojnë këtyre veprimeve dhe të përpiqen të ndërtojnë një mjedis bashkëpunimi ndërkombëtar të hapur, të drejtë dhe jodiskriminues. (Irma)







