
Një punonjës në një fabrikë në Nantong, Provinca Jiangsu, Kinë,22 qershor 2022./CFP
Treguesi i Zhvillimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) i Kinës shënoi vlerën 88.4 në qershor, duke u rritur me 0.2 pikë përqindjeje krahasuar me majin dhe duke shënuar mëkëmbje pas një rënieje 4-mujore. Megjithatë, shifra është më e ulët se ajo e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Treguesi i Zhvillimit të NVM-ve, i publikuar nga Shoqata e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme e Kinës, shkon nga 0 në 200. Vlera 100 tregon se situata e biznesit ka ndryshuar pak, ndërsa vlerat nga 0 në 100 se biznesi është në rënie. Një vlerë mes 100 dhe 200 dëshmon se biznesi është në rritje.
Afro 25.9 % e NVM-ve kanë rifilluar plotësisht prodhimin, ndërsa më shumë se 42 % kanë rinisur mbi 75 % të prodhimit, sipas të dhënave statistikore nga kjo shoqatë.
Vetëm 7.7 % e NVM-ve nuk i janë rikthyer aspak punës në qershor, 5.7 pikë përqindjeje më pak se në maj, sipas të dhënave statistikore.
Të gjithë sektorët e monitoruar nga ky tregues patën rritje në qershor, të udhëhequr nga shërbimet e ofrimit të ushqimeve, me një rritje 0.6 pikë përqindjeje, dhe transmetimi i informacionit e programet kompjuterike, 0.5 pikë përqindjeje më shumë.
Shoqata e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme e Kinës tha se NVM-të i kanë përmirësuar pritshmëritë e tyre të tregut dhe kanë më shumë besim te investimet tani. Stresi i likuiditetit i tyre është lehtësuar në përgjithësi, megjithatë ato përballojnë edhe presionin e kostos relativisht të lartë. (Xu Guang)







